How to get certified?

Kriteret e çertifikimit

Përcaktimi se çfarë përbën një fermë nën konceptin e agroturizmit është dhënë në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.316, datë 24.05.2023. Subjektet që dëshirojnë të çertifikohen duhet të ofrojnë:

  • Aktivitet bujqësor :
    a) Fermë bujqësore, e cila ka të paktën 1(një) ha tokë në pronësi ose përdorim, të mbjellë me kultura bujqësore;
    b) Ferma blegtorale, të cilat mbarështojnë, të paktën, 10 krerë gjedhë ose 100 krerë dele/dhi ose 200 krerë shpendë;
    c) Njësi agrikulturore, e cila ka si aktivitet:
       i. përpunimin e produkteve bujqësore dhe të paktën 1 (një) ha tokë të mbjellë me kultura bujqësore. Subjekti duhet të ketë edhe një ambient për përpunimin e produkteve bujqësore;
       ii. përpunimin e produkteve blegtorale dhe mbarështimin e të paktën 10 (dhjetë) krerëve gjedhë ose 100 (njëqind) krerëve dele ose dhi ose 200 (dyqind) krerëve shpendë. Në këtë rast, subjekti duhet të ketë edhe një ambient për përpunimin e produkteve blegtorale, si p.sh.: qumësht, djathë, kos, dhe për mjeljen e lopëve e deleve;
       iii. akuakulturën, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për akuakulturën. Në këtë rast, subjektet duhet të kenë në pronësi ose përdorim sipërfaqe ujore jo më të vogël se 3 000 (tre mijë) m2. Subjekti duhet ta përdorë këtë sipërfaqe për kultivimin dhe rritjen e peshkut ose midhjes;
       iv. bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit, si dhe të ketë të paktën parkun e bletëve, me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje. Në këtë rast, subjekti duhet të ketë në pronësi ose përdorim një ambient për vendosjen e bletëve, si dhe për mbledhjen e prodhimin e nënprodukteve të mjaltit.

  • Akomodim për klientë nga 6-60 shtretër.
  • Ushqime dhe pije , në një objekt me 10 deri në 80 vende uljeje . Ushqimi i ofruar duhet të jetë së paku 30% i marrë nga vetë ferma dhe të paktën 40% shtesë nga zona (kufijtë e bashkisë).
  • Aktivitete edukative ose rekreative që lidhen me fermën dhe mjedisin e fermës.

Lehtësira

Lehtësirat fiskale për subjektet e çertifikuara si Agroturizëm përfshijnë përjashtimin nga taksa e infrastrukturës për strukturat e reja, TVSH-në 6% për shërbimin e akomodimit.

Procesi i çertifikimit

Aplikimi dorëzohet në Ministrinë e Turizmit dhe përfshin dokumentacionin e mëposhtëm:

  • Dëshmi për përmbushjen e kritereve të listuara më sipër
  • Kartën e identitetit të aplikantit
  • Çertifikata e pronësisë së pronës ku ushtrohet veprimtaria e biznesit.
  • Deklarata e plantacioneve dhe kultivimeve, e plotësuar me fotografi, fotografi të bujtinës dhe dhomave nga brenda dhe jashtë, si dhe fotografi të restorantit.
  • Plan biznesi me plane dhe parashikime financiare për 5 vitet e ardhshme
  • Kopja e regjistrimit të fermës
  • Tarifa e aplikimit.

Lista e plotë e kërkesave, dokumenteve dhe procedurave të aplikimit gjendet në https://bit.ly/2oXgS0t

Miratimi ose refuzimi i aplikimit vendoset nga një komision prej pesë anëtarësh, tre prej të cilëve caktohen nga Ministria e Turizmit dhe dy nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, brenda 50 ditëve nga paraqitja. Pas miratimit, çertifikata, e cila është e vlefshme për 5 vjet, mund të merret nga Ministria e Turizmit.