Restoranti dhe rezorti dominohen nga një rrethim i madh për hipizëm, rreth të cilit janë organizuar hoteli, restoranti në katin përdhe, stallat e kuajve dhe hapësira per tu ulur në natyrë e restorantit.
Kodra e Kuajve nuk është një fermë tipike, por mbart ende një lidhje të fortë me agroturizmin, dhe jo vetëm për shkak të kuajve. Restoranti ka një bashkëpunim të ngushtë me fshatarët vendas nga Dedej, dhe e gjithë lënda e parë, si mishi, qumështi, djathi, vezët, si edhe perimet, mjalti dhe frutat që u shërbehen klientëve të rregullt merren prej tyre.
Në dallim nga shumica e restoranteve afër bregdetit, Kodra e Kuajve është e specializuar si restorant mishi, por ofron edhe disa alternativa peshku dhe produkte deti, si dhe ofron shumë mundësi për vegjetarianët. Gatimet në menunë e pasur përfshijnë pjata të para të përziera, byrek, jufka shtëpie, bollgur, japrak me gjethe të mbushura rrushi, bukë misri, speca të mbushur me djathë, dhe lloje të ndryshme mishi, të tilla si, viç, kec, qengj, pulë dhe rosë.
Kuajt janë të madhësive dhe racave të ndryshme, duke përfshirë friesianët, anglo-arabët, andaluzianët, haflingerat dhe poni, dhe për to kujdeset Leonard Barziu, ish-kampion i garës me pengesa, dhe Ariola Dedej, kampione garash. Të dy punojnë gjithashtu si instruktorë hipizmi dhe i udhëheqin vizitorët gjatë turneve të hipizmit nëpër fshat dhe rrethina.